Rregullorja e re, nga 1 janari 2027 ulen komisionet e tregtarëve për të pranuar pagesa me kartë
Banka e Shqipërisë miraton rregulloren e re që kufizon tarifat e shkëmbimit në 0.2 për qind për kartat e debitit dhe 0.3 për qind për kartat e kreditit.

Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht rregulloren e re “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”, e cila synon uljen e komisioneve që bankat u ngarkojnë tregtarëve për pranimin e pagesave me kartë.
Rregullorja është një përshtatje e direktivës me të njëjtin emër të Bashkimit Europian, të vitit 2015, dhe parashikon vendosjen e kufijve maksimalë për tarifat e shkëmbimit që aplikohen në transaksionet me karta bankare.
Duke filluar nga 1 janari 2027, ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk do të mund të aplikojnë tarifa shkëmbimi më të larta se 0.2 për qind e vlerës së transaksionit për pagesat me kartë debiti dhe 0.3 për qind për pagesat me kartë krediti.
Si funksionojnë tarifat e shkëmbimit dhe sa paguajnë tregtarët?
Në kuptimin e rregullores, tarifa e shkëmbimit (interchange fee) është tarifa që paguhet për çdo transaksion, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ndërmjet emetuesit dhe pranuesit të përfshirë në një transaksion pagese të bazuar në kartë. Kompensimi neto ose çdo shpërblim tjetër i rënë dakord konsiderohet pjesë e tarifës së shkëmbimit.
Në terma më të thjeshtë, kjo është tarifa që banka e tregtarit, e cila pranon pagesën, i paguan bankës që ka emetuar kartën e blerësit sa herë që konsumatori kryen një pagesë me kartë.
Vendosja e kufijve maksimalë për këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.
Sipas burimeve nga sektori bankar, aktualisht niveli i tarifave të shkëmbimit vlerësohet mesatarisht pranë kufirit të 1.5 për qind. Megjithatë, kjo është një vlerë indikative, pasi komisionet ndryshojnë në varësi të llojit të aktivitetit të biznesit.
Tarifat e shkëmbimit nuk janë elementi i vetëm i komisionit total që paguan një tregtar për çdo shitje me kartë. Struktura e komisioneve përfshin edhe tarifat e skemës së pagesave dhe marzhin e bankës së tregtarit.
Tarifat e skemës ose të rrjetit (scheme fees) janë pagesat që përfitojnë kompanitë globale të skemave të kartave, si Visa dhe Mastercard. Si banka emetuese, ashtu edhe banka pranuese i paguajnë këto tarifa për përdorimin e rrjetit global që mundëson autorizimin dhe përpunimin e transaksioneve. Megjithëse janë tarifa të vogla për çdo transaksion, ato grumbullohen në vëllime të mëdha.
Elementi tjetër është marzhi i bankës së tregtarit (acquirer markup), që përfaqëson pjesën e komisionit që mban banka e cila ka vendosur pajisjen POS ose portën e pagesave online. Kjo tarifë mbulon kostot e pajisjes, përpunimin teknik dhe rrezikun që banka merr përsipër gjatë bashkëpunimit me tregtarin.
Komisionet mund të ulen deri në 1 për qind
Duke përfshirë të gjithë zërat e komisioneve, aktualisht tarifa që një tregtar i paguan bankës për pagesat me kartë mund të tejkalojë 3 për qind në rastin e kartave të lëshuara jashtë vendit. Për pagesat me karta të emetuara nga institucionet vendase, komisionet janë më të ulëta.
Vendosja e tavanit për tarifat e shkëmbimit pritet të ndikojë në uljen e komisionit total të pagesave me kartë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i komisioneve mund të ulet deri në 1 për qind. Megjithatë, përfaqësues të sektorit bankar nuk besojnë se ulja mund të arrijë në këto nivele, duke vlerësuar si më realist një prag prej 1.5 për qind.
Nga 1 janari 2028, më shumë transparencë për tarifat bankare
Rregullorja e re parashikon gjithashtu detyrime shtesë për transparencën e tarifave që u ngarkohen tregtarëve gjatë pranimit të pagesave me kartë.
Pas ekzekutimit të çdo transaksioni individual, ofruesi i shërbimit të pagesave duhet t'i vërë në dispozicion tregtarit referencën që mundëson identifikimin e transaksionit, shumën e pagesës në monedhën në të cilën është kredituar llogaria, si dhe shumën e tarifave të aplikuara.
Informacioni duhet të tregojë veçmas tarifën e shërbimit të tregtarit dhe shumën e tarifës së shkëmbimit, në mënyrë që bizneset të kenë një pasqyrë më të qartë të kostove që paguajnë për pranimin e kartave.
Megjithatë, ky nen i rregullores do të hyjë në fuqi më 1 janar 2028, për shkak të kohës së nevojshme që u është kërkuar bankave dhe skemave të pagesave me kartë për detajimin e të dhënave.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)